Shtëpi » Arkivi » 2009


Së paku 2.000 fëmijë jetojnë në rrugë

Konferencë për mundësi të barabarta në njësitë lokale Partneri ideal është i punësuar dhe kujdeset për familjen Vendimet tatimore për pronë prej sot

  

Shkup / 12-06-09 / 10:05
Rreth dy mijë fëmijë në Maqedoni jetojnë nën qiell të hapur dhe pa përkujdesje prindërore dhe në të shumtën e rasteve bëhen viktima të formave më të këqija të keqpërdorimit të punës fëmijërore.

Ata janë pjesë e 218 milionë fëmijëve në botë puna e të cilëve keqpërdoret. Së paku 72 milionë fëmijë kurrë nuk kanë qenë në shkollë, ndërsa 12 milionë janë shitur dhe blerë për çmime më të ulta se vlera e një lope.

Këtë e thekson ambasada e parë për fëmijë në botë Megjashi me rastin e 12 qershorit - ditës botërore kundër keqpërdorimit të punës fëmijërore.

Organizata përkujton në obligimet e marra me ratifikimin e Konventës kundër formave më të këqija të keqpërdorimit të punës fëmijërore dhe thekson se puna fëmijërore është e lidhur ngushtë më varfërinë.

Familjet e varfëra nuk janë në gjendje ta paguajnë shpenzimet e shkollës, ndërsa të ardhurat familjare mund të varen nga kontributi i fëmijës që punon. Kur familja duhet të zgjedhë midis fëmijës djalë ose fëmijës vajzë që do ta dërgojë për shkollim të mëtejshëm, shumë shpesh zgjedhja bie mbi djalin.

Maqedonia, siç bëhet e ditur, duhet ta zgjidhë urgjentisht këtë problem me sigurimin dhe realizimin e arsimimit të detyrueshëm falas për të gjithë fëmijët, të sigurojë vende të punës për njërin prej prindërve të fëmijëve të margjinalizuar, si dhe mësim plotësues për fëmijë që kanë lëshuar mësimin e rregullt.

Kjo është e domosdoshme që fëmijët të mos bëhen viktima të keqpërdorimit, i cili nuk nënkupton vetëm punë fizike, por edhe keqpërdorim komercial dhe seksual (prostitucion dhe pornografi fëmijërore), tregti më fëmijë, fëmijë ushtarë, rrobëri, punë të detyrueshme, punë e cila për nga natyra ose rrethanat e veta u bën dëm fëmijëve në aspektin shëndetësor, të sigurisë dhe atë moral. /Makfaks/